NBA: Gjithçka në ekuilibër, Philadelphia dhe Dallas nuk gabojnë në shtëpi

Ndeshjet e 4-ta të gjysmëfinaleve të Konferencave në NBA çojnë në ekuilibër të plotë sfidat Philadelphia-Miami dhe Dallas-Phoenix, sepse në të dyja përballjet rezultati i përgjithshëm i serisë së Play Off-it ka shkuar 2-2.

Faktori fushë nuk ka zhgënjyer në mbrëmjen e djeshme. James Harden dhe Joel Embiid udhëheqin Sixers në suksesin 116-108 përballë Heat, ndërsa Luka Doncic është lideri i Mavericks në fitoren 111-101 përballë Suns.

PHILADELPHIA 76ERS-MIAMI HEAT 116-108

James Harden rikthehet të jetë vendimtar në momentin e duhur. “Mjekra” bashkë me Joel Embiid udhëheqin Philadelphian drejt suksesit dhe barazojnë 2-2 serinë e Play Off-it kundër Miamit.

Pas një periode të parë të ekuilibruar, vendasit marrin kontrollin në periodën e dytë dhe nuk lëshojnë më terren gjatë gjithë ndeshjes. Harden shënon 16 nga 31 pikët e tij në periodën e fundit, ndërsa Joel Embiid mbyll ndeshjen me 24 pikë dhe 11 rebounde.

Miami nuk është në mbrëmjen e tij më të mirë. Jimmy Butler shënon 40 pikë, por shokët e skuadrës nuk janë në nivelin e tij dhe vetëm Bam Adebayo mban ritmin me 21 pikë.

DALLAS MAVERICKS-PHOENIX SUNS 111-101

Dallas luan mirë dhe fiton edhe sfidën e dytë në Teksas, duke çuar në 2-2 serinë e ndeshjeve të Play Off-it përballë Phoenix. Mavericks dominojnë periodën e parë dhe mbyllin pjesën e parë me 68 pikë të shënuara. Luka Doncic nuk zhgënjen dhe mbyll ndeshjen me 26 pikë, ndërsa Dorian Finney-Smith realizon 24 pikë.

Në kampin tjetër Devin Booker shënon 35 pikë, ndërsa Deandre Ayton 14 pikë dhe 11 rebounde. Ai që zhgënjeu në këtë sfidë, ishte Chris Paul, që u limitua në lojën e tij sepse bëri 4 faulle që në periodën e parë. Ylli i Suns mbylli sfidën para kohe për shkak të faulleve dhe shënoi vetëm 5 pikë. / Oversport.tv

Foto: Philadelphia 76ers Twitter