Vazhdojnë serinë e fitoreve në NBA Golden State dhe Phoenix, ndërsa Lakers-at dorëzohen në fund dhe mposhten në Overtime nga Sacramento. Kalojnë me sukses sfidat respektive edhe Milwaukee, Chicago dhe Atlanta.
GOLDEN STATE WARRIORS-PORTLAND TRAIL BLAZERS 118-103
Golden State konfirmohet superfuqia e Konferencës së Perëndimit, pasi falë fitores 118-103 përballë Portland, Warriors arrijnë suksesin e 17-të në 19 ndeshje që kanë zhvilluar këtë sezon në NBA.
Pas një periode të parë të ekuilibruar, vendasit nisin arratinë dhe nuk e vënë në diskutim fitoren për asnjë moment. Curry është lideri i Golden State, me 32 pikë të shënuara në këtë sfidë.
NEW YORK KNICKS-PHOENIX SUNS 97-118
Phoenix nuk ka ndërmend të ndalet dhe në New York vjen fitorja e 15-të radhazi, tashmë Suns-at janë vetëm një fitore larg (16-3) kryesuesve të Golden State në Konferencën e Perëndimit.
Nën-kampionët në fuqi të NBA kalojnë në avantazh që në pjesën e parë (57-44) dhe sigurojnë një fitore të lehtë përballë Knicks-ave. Devin Booker shënon 32 pikë për miqtë, ndërsa për Knicks-at nuk ishte mbrëmja e duhur dhe pësojnë kështu humbjen e 9-të sezonale.
LOS ANGELES LAKERS-SACRAMENTO KINGS 137-141 (pas Overtime)
Lakers nuk arrijnë të fitojnë dot ndeshjen e pestë sezonale që luajnë në shtesë, pasi janë mposhtur 141-137 nga Sacramento, pas 63 minutave lojë intensive dhe të ekuilibruar. Nëse në katër sfidat e mëparshme në fund kishin buzëqeshur gjithmonë Lakers, këtë radhë ata që festojnë janë Kings–at.
Ka ekuilibër të plotë dhe koha e rregullt përfundon 100-100. Duhen tre kohë shtesë, që të përcaktohet fituesi në “Staples Center”. De’Aaron Fox udhëheq Kings-at në kët fitore me 34 pikë, ndërsa LeBron James shënon 30 pikë për vendasit.
Ndeshjet e tjera të NBA:
DENVER NUGGETS-MILWAUKEE BUCKS 109-120
ORLANDO MAGIC-CHICAGO BULLS 88-123
SAN ANTONIO SPURS-BOSTON CELTICS 96-88
LOS ANGELES CLIPPERS-DETROIT PISTONS 107-96
MEMPHIS GRIZZLIES-ATLANTA HAWKS 100-132
OKLAHOMA CITY THUNDER-WASHINGTON WIZARDS 99-101
UTAH JAZZ-NEW ORLEANS PELICANS 97-98
CHARLOTTE HORNETS-MINNESOTA TIMBERWOLVES 133-115
INDIANA PACERS-TORONTO RAPTORS 114-97