NBA: Lebron James merr për dore LA Lakers, Celtics triumfon ndaj Raptors

NBA nuk e ndal rrugëtimin dhe vëmendjen e ka marrë Los Angeles Lakers, që mposhti Detroit Pistons me rezultatin 110-106. LeBron James ishte fantastik me 33 pikë, 9 asiste e 5 rebound, ndërkohë që një ndihmë të madhe e dhanë edhe Anthony Davis (24 pikë, 2 asiste, 10 rebound) me Russel Westbrook (25 pikë, 9 asiste, 6 rebound).

Për skuadrën nga Michigani spikati Jerami Grant, me 32 pikë të realizuara. Fitore edhe për Boston Celtics, që likuidoi me rezultatin 109-97 skuadrën e Toronto Raptors. Një paraqitje e mirë si skuadër për Celtics, pasi 6 basketbollistë shënuan më shumë se 10 pikë.

Memphis Grizzlies ishte skuadra tjetër që iu gëzua fitores, kundër Sacramento Kings me shifrat 128-101. Një ndeshje e dominuar në tre periodat e para, kur diferenca shkoi në 36 pikë dhe në periodën e fundit vendasit kishin mundësi të kursenin energji. / oversport.tv