Utah Jazz arrin të kalojë me sukses edhe transfertën e vështirë përballë Washingtonit dhe merr fitoren e 7-të radhazi në kampionat. Ka qenë një natë për tu harruar ajo e mbrëmshmja për Steph Curry dhe Golden State, që mposhten nga Philadelphia.
Nikola Jokic dominon përballë San Antonios, ndërsa Chicagos nuk i mjaftojnë 33 pikët e Zach LaVine, që të evitojë humbjen përballë Miamit. Fitojnë edhe Cleveland, Memphis dhe LA Clippers.
PHILADELPHIA 76ERS-GOLDEN STATE WARRIORS 102-93
Philadelphia i prish festën Steph Curry dhe arrin një fitore të merituar përballë Warriors, e udhëhequr nga Joel Embiid, që shënon 26 pikë. Vendasit marrin fitoren e pestë në 7 ndeshjet e fundit në kampionat.
Një paraqitje modeste për yllin e miqve, Steph Curry, që shënon vetëm 18 pikë. Numrit 30 të Golden State i duhen edhe 6 trepikësha, që të kalojë në renditjen e të gjithë kohërave për trepikësha Ray Allen.
SAN ANTONIO SPURS-DENVER NUGGETS 112-127
Denveri ka dominuar të gjithë sfidën përballë San Antonios dhe ka marrë një fitore të çmuar në transfertë. Nikola Jokic ka zhvilluar një ndeshje të madhe për miqtë, duke shënuar 35 pikë në 34 minuta. Serbi ka bërë gjithçka në fushë dhe ka qenë i papërmbajtshëm përballë Spurs-ave. Markus Howard me 21 pikë dhe Monte Morris me 19 pikë kanë dhënë kontributin e tyre në këtë fitore.
MIAMI HEAT-CHICAGO BULLS 118-92
Miami ndal vrullin e Chicagos, duke e mposhtur 118-92. Vendasit nisin më mirë ndeshjen dhe kalojnë 14 pikë në avantazh që në periodën e parë. Bulls-at mundohen që të reagojnë, por nuk futen asnjëherë në ndeshje dhe detyrohen të pranojnë disfatën në këtë sfidë.
Duncan Robinson është më i miri për vendasit me 26 pikë, i ndjekur nga Dewayne Dedmon me 20 pikë. Për miqtë nuk mjaftojnë 33 pikët e Zach LaVine për të evituar humbjen. / Oversport.tv
Ndeshjet e tjera të NBA:
WASHINGTON WIZARDS-UTAH JAZZ 98-123
CLEVELAND CAVALIERS-SACRAMENTO KINGS 117-103
MEMPHIS GRIZZLIES-HOUSTON ROCKETS 113-106
LOS ANGELES CLIPPERS-ORLANDO MAGIC 106-104