NBA vazhdon të dhurojë spektakël për të gjithë ndjekësit ku në orët e para të mëngjesit janë zhvilluar 5 sfida të tjera shumë interesante. Milwaukee Bucks regjistron fitoren e tretë radhazi dhe këtë herë mposht Indiana Pacers me rezultatin 141-131.
Lojtari i ndeshjesh është Giannis Antetokounmpo që shkëlqen në një tjetër sfidë për Bucks duke realizuar 41 pikë i vetëm, por gjithashtu edhe 12 topa në tabelë e 6 asist. Ndeshje të mirë zhvilloi gjithashtu edhe Holiday me 20 pikë, 9 rebound e 9 asist, ndërsa nga Pacers Turner, Hield dhe Mathurin nuk arritën dot të shmangnin humbjen pavarësisht paraqitjes së mirë.
Vazhdon ecurinë negative Memphis Grizzlies që pësojnë humbjen e pestë radhazi. Këtë herë janë mposhtur në transfertë nga Minnesota Timberwolves në shifrat 111-100. Lojtari që shkëlqen më shumë është Ja Morant i Grizzlies i cili realizon një tripledouble me 27 pikë, 10 rebound e 11 asist. Megjithatë, paraqitja e tij nuk ka mjaftuar që Grizzlies të dalin triumfues, ndërsa Minnesota u udhëhoq në këtë sukses nga Edwards me 25 pikë dhe Andreson me 23.
Jimmy Butler me 29 pikë dhe Bam Adebayo me 20 udhëheqin drejt fitores së tretë radhazi Miami Heats duke mposhtur në shtëpi Orlando Magic. Vendasit triumfuan me rezultatin 110-105. Pjesa e parë u dominua kryesisht nga miqtë, por Miami përmbys gjithçka në dy periodat e fundit duke triumfuar në një tjetër sfidë të NBA.
Kampionët në fuqi të Golden State Warriors nuk gabojnë përballë Toronto Raptors dhe fitojnë në shifrat 129-117. Lojtari i ndeshjesh është ylli i Warriors, Steph Curry me 35 pikë, 7 rebound e 11 asist. Paraqitje e mirë edhe nga Klay Thompson me 29 pikë e 8 rebound, ndërsa për Toronton, VanVleet ishte lojtari me më shumë pikë të realizuara, 28 të tilla.
Fitore ka arritur edhe Oklahoma City Thunder përballë Cleveland Cavaliers me rezultatin 112-100. Lojtari që realizon më shumë në këtë takim është kanadezi Shai Gilgeous-Alexander me 35 pikë, 5 rebound e 8 asist. /oversport.tv
Foto: NBA History, Twitter