Jurgen Uldedaj ka pësuar humbjen e tij të parë në karrierë si boksier profesionist. 25-vjeçari shqiptar u mposht në eventin madhor të mbajtur në Londër në O2 Arena në mbrëmjen ku përballë do të vendosen dy emra të rëndësishëm të boksit si Anthony Joshua dhe Jermaine Franklin.
Jurgen Uldedaj u mposht nga rivali i tij Benoit Huber me një diferencë shumë të vogël pikësh. Në 8 raunde të zhvilluara asnjë nga të dy boksierët nuk i dha dot fund sfidës me “knock out” dhe për këtë arsye lindi nevoja që të ishin gjyqtarët ata që do të merrnin vendimin për fituesin.
Uldedaj u ndesh denjësisht duke krijuar edhe idenë se do të ishte ai fituesi pasi në disa raunde po dominonte sfidën.
Në fund në qiell ngrihet dora e zvicerianit Benoit Huber që triumfoi me 2 pikë diferencë. 77-75 ishte vendimi i gjyqtarëve të takimit, ndërsa për Jurgen Uldedaj kjo është humbja e parë. Pas vendimit të gjyqtarëve, boksieri shqiptar u shfaq shumë i zhgënjyer pasi fitorja ishte rezultati i vetëm që kërkonte. Kjo ishte ndeshja e 16-të për Uldedaj, ndërsa në 15 të para kishte po kaq fitore ku 6 prej tyre ishin me “knock out”. /oversport.tv