Ndeshja e fundit në Camp Nou, ja çfarë pritet të ndodhë në sfidën Barcelona-Mallorca

Barcelona po përgatitet t’i japë lamtumirën Camp Nou para fillimit të punimeve. Ndeshja e së dielës kundër Mallorcas do të jetë e fundit e organizuar në stadiumin legjendar katalanas.

Barça gjithashtu po përgatit edhe një ceremoni lamtumire për senatorët Sergio Busquets dhe Jordi Alba të cilët do të largohen nga klubi në fund të sezonit. Klubi katalanas ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë tifozëve që do të jenë të pranishëm në stadium.

Ata kërkojnë prej tyre të krijojnë atmosferën e duhur për sfidën e fundit. Tifozëve i është kërkuar të veshin një fanellë të Barcelonës, të çdo sezoni, në mënyrë që të ngjyrosin të gjithë stadiumin me ngjyrat e klubit.

Camp Nou do të jetë i mbyllur për pjesën më të madhe të vitit të ardhshëm pasi do t’i nënshtrohet rikonstruksionit dhe Barça do të luajë ndeshjet e saj në shtëpi në Montjuic. Me përfundimin e punimeve Barcelona do të rikthehet sërish në Camp Nou. /oversport.tv

Foto: FC Barcelona, Facebook