Padiskutim që ndeshja më e rëndësishme e ditës së sotme në Serie A është përballja Milan-Lazio. Në orën 18.00 në “San Siro” do masin forcat dy skuadra që kanë marrë maksimumin e pikëve në dy javët e para të kampionatit, në një ndeshje që premton gola dhe shumë emocione.
Për t’a bërë akoma më shumë interesante këtë sfidë ka menduar skuadra e Oversport, me një transmetim live, plot surpriza dhe eskluzive direkt nga “San Siro”.
Komenti i Alban Xhihanit, analizat tekniko-taktike të Florian Myrtaj dhe intervistat eskluzive të Cindy Marinas vijnë vetëm në ekranin e Oversport, duke filluar nga ora 17.30.
Tekniku i Milanit, Stafano Pioli ka vendosur që t’i besojë sulmin që nga minuta e parë Rebic-it, ndërsa Ibrahimovic mund të futet nga pankina për të luajtur një pjesë loje. Në mbrojtje kthehet titullar Romagnoli, ndërsa Kessie do të bëjë debutimin sezonal kundër Lazios. Edhe Florenzi fiton një fanellë titullari dhe bashkë me Brahim Diaz dhe Leao do të mbështesin Rebic në sulm.
Lazio vjen në transfertën e sotme në Milano me organikë të plotë. Sarri mendon të hedhë nga minuta e parë në fushën e blertë Marusic, ndërsa sulmi i besohet si gjithnjë Ciro Immobiles. Hysaj është tashmë një titullar i padiskutuar i skuadrës laziale, ndërsa Strakosha dhe Muriqi e nisin ndeshjen nga stoli.
Formacionet e mundshme:
Milan (4-2-3-1): Maignan; Calabria, Tomori, Romagnoli, Theo Hernandez; Kessié, Tonali; Florenzi, Brahim Diaz, Leao; Rebic
Lazio (4-3-3): Reina; Marusic, Luiz Felipe, Acerbi, Hysaj; Milinkovic-Savic, Leiva, Luis Alberto; Pedro, Immobile, Felipe Anderson