Pasi përfunduan ndeshjet e para të raundit të parë kualifikues, tashmë ekipet shqiptare janë gati për përballjet e dyta. Partizani në Champions League si dhe Tirana, Egnatia e Vllaznia në Conference, kërkojnë kualifikimin për fazën tjetër.
Ekipet shqiptare kanë mësuar edhe se kush do të jenë gjyqtarët e sfidave të kthimit. Kështu Partizani do të ndeshet në transfertë me Bate Borisovin, ku sfida e parë u mbyll në barazim 1-1. Gjyqtar kryesor i takimit do të jetë Kevin Clancy nga Skocia. Asistentët e tij po skocezë do të jenë David McGeachie dhe Jonathan Bell, ndërsa gjyqtar i katërt, David Munro.
Edhe Tirana u ndal në barazim 1-1 në “Air Albania” ndaj Dinamo Batumit, dhe në sfidën e kthimit kërkon kualifikimin. Për këtë sfidë janë vendosur arbitra me emër në arenën ndërkombëtare, një skuadër italiane me në krye Fabio Marescan. Asistentët e tij do të jenë Giorgio Peretti dhe Dario Garzelli, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Matteo Marchetti.
Sfida e kthimit për Egnatian do të jetë në shtëpi, dhe pas barazimit 1-1 në Armeni përballë Araratit, skuadra e drejtuar nga Tetova kërkon kualifikimin historik. Drejtësi në këtë sfidë do të vendoset nga grupi bullgar, me gjyqtar kryesor Dragomir Draganov. Asistentët e tij janë Ivo Kolev dhe Hristo Hadzhiyski, ndërsa i katërt është Stanislav Todorov.
Vllaznia është e vetmja skuadër shqiptare që u mposht në ndeshjen e parë kualifikuese, ku Linfield e mposhti në Irlandën e Veriut me rezultatin 3-1. Në “Loro Boriçi”, Memelli me të besuarit e tij kërkojnë një përmbysje të madhe. Në këtë sfidë, grupi gjykues është nga Azerbajxhani. Rauf Jabarov do të jetë gjyqtari kryesor, dhe do të ndihmohet nga Namik Huseynov dhe Yusifov Javanshir. Arbitër i katërt do të jetë Ingilab Mammadov.
Sa i përket sfidave të kthimit, Partizani do të përballet të martën e 18 korrikut në orën 20:00. Skuadrat e tjera shqiptare në Conference League do të përballen të enjten e 20 korrikut. Dinamo Batumi-Tirana do të luhet në orën 19:00, Egnatia-Ararat në 20:00, ndërsa Vllaznia-Linfield në orën 20:45. /oversport.tv
Foto: UEFA Champions League, Twitter