Ndihet i kërcënuar nga Mbappe, Benzema kërkon takim me Perez

Karim Benzema është një nga yjet e Realit të Madridit, një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Edhe dje kundër Granadës mungesa e tij u ndje dhe të besuarit e Ancelottit vuajtën shumë për të gjetur rrugën e rrjetës, duke fituar minimalisht 1-0.

Francezi ka qenë gjithmonë i paprekshëm, ka mposhtur çdo lloj konkurrence (nga Higuain te Jovic), por ka frikë se pozicioni i tij si lider (dhe vendi si titullar) mund të vihen në dyshim me ardhjen e Kylian Mbappé dhe Erling Haaland.

Për këtë arsye i ka kërkuar një takim presidentit Florentino Pérez, takim që do të mbahet në mars.

Sipas asaj që shkruan “El Nacional”, Benzema kërkon të njohë qëllimet dhe planet e merkatos së ardhshme, si dhe pozicionin e klubit për sa i përket rolit të tij. Në këtë takim mund të flitet edhe për rinovimin e kontratës, që skadon në vitin 2023. / Oversport.tv