Ndreu: Laçin e mundim veç po e vlerësuam si duhet, janë ekip i fortë

Ramazan Ndreu, trajneri i Kastriotit, ka folur në prag të ndeshjes së radhës kundër Laçit. Një derbi mes dy skuadrave fqinje, që do të zhvillohet në Kamzë prej orës 13:45. Ndreu, që më parë ka drejtuar edhe kurbinasit, për mediat ka deklaruar:

“Përpara kemi një tjetër skuadër shumë të mirë, ndër më të mirat. Ua kam bërë të ditur lojtarëve që duhet të kemi jashtëzakonisht kujdes. Kemi përpara një skuadër, që është jashtëzakonisht e mirë, një kundërshtar që është ndërtuar për të kapur majat e klasifikimit. Nga ana jonë do marri vlerësimin maksimal”.

Më tej Ndreu shton: “Nëse skuadra e vlerëson Laçin ashtu siç e meriton, besoj se do e fitojmë ndeshjen. U kam thënë lojtarëve gjatë këtyre ditëve që ndeshja me Skënderbeun ka kaluar dhe nuk duhet ta mbajmë më mendjen aty. Le të fokusohemi te kundërshtari i radhës”. Laçi renditet i fundit, ndërsa Kastrioti vetëm javën e shkuar e mori fitoren e parë.

Tani krutanët duan një tjetër trepikësh, sikurse shprehet Ndreu: “Ne kemi nevojë shumë për pikë në këtë gjendje që jemi. Trepikëshi me Skënderbeun na dha pak moral, na dha njëfarë ndryshimi në klasifikim.

Gjithsesi është pak, sepse janë zhvilluar 5 ndeshje. Shpresoj që do ta vazhdojmë këtë ecuri të mirë, gjithmonë nëse do të impenjohemi maksimalisht dhe nëse zbatojmë mirë detyrat edhe në sfidën ndaj Laçit”. / oversport.tv