Pasi kaluan me sukses ndeshjet gjysmëfinale të Play Off-it, ku Flamurtari eliminoi Apoloninë (ndeshja u mbyll në barazim, por vlonjatët shkuan në finale falë renditjes më të mirë në sezonin e rregullt) dhe Korabi eliminoi Tomorin (dibranët fituan 1-0 në Berat), vlonjatët dhe dibranët do të përballen të dielën në orën 17:00 në finalen e madhe të Play Off-it të Kategorisë së Parë.
Një ndeshje teke (nëse përfundon në barazim shkon në shtesa e më pas në penallti) do të vendosë se kush mes Flamurtarit dhe Korabit do të shkojë në finalen e Play Out-it përballë skuadrës që do të mbyllë kampionatin në vendin e tetë në Superiore, në një sfidë që do të vendosë se kush do të luajë në elitën e futbollit shqiptar sezonin e ardhshëm.
FSHF njoftoi fillimisht se finalja e Play Off-it të Kategorisë së Parë do të luhej në “Elbasan Arena”, por ka pasur një ndryshim dhe është vendosur që sfida Flamurtari-Korabi të luhet në stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet të dielën e 28 majit në orën 17:00. Këtë takim mund ta ndiqni live në Oversport dhe Tibo. / Oversport.tv