Në Argjentinë janë të sigurt, Messi ka vendosur se ku do të vazhdojë karrierën

Të gjithë kërkojnë Leo Messin. Yllin argjentinas, që pas 2 javësh do të mbushë 36 vjeç, por epoka e tij në futboll nuk ka përfunduar akoma.

Messi ka vendosur që të mos rinovojë kontratën e tij me Paris Saint Germain dhe tashmë ka dalë sërish në merkato. 2 ditë më parë babai i tij ishte në Barcelonë, ku vazhdohet të flitet për një rikthim të bujshëm.

Në Arabi, Al-Hilal është në pritje të përgjigjes, pas ofertës së frikshme prej 400 milionë eurosh në sezon. Por në orët e fundit ka dalë në skenë edhe një tjetër alternativë për të ardhmen e “pleshtit”.

Sipas mediave argjentinase, Messi ka vendosur që të vazhdojë karrierën në Amerikë. Inter Miami ka përshpejtuar tratativat për të transferuar në Florida yllin argjentinas. Në Argjentinë janë të bindur që firma është shumë pranë dhe në ditët e ardhshme Messi do të zyrtarizojë këtë vendim. / Oversport.tv