Refuzimi që Milan Skriniar i ka bërë rinovimit të kontratës me Interin është lajmi i ditës në Itali. Ka rënë dukshëm optimizmi i drejtuesve zikaltër për të mbajtur në skuadër mbrojtësin sllovak.
Diferenca mes ofertës (6.5 milionë euro në sezon) dhe kërkesës (PSG ofron 9 milionë) është e lartë dhe tashmë duket i paevitueshëm largimi i lojtarit nga Milano.
Në Francë janë të sigurt, që Skriniar ka arritur marrëveshjen me Paris Saint Germain për sezonin e ardhshëm. Sipas “L’Equipe”, mbrojtësi sllovak ka dhënë dakordësinë për tu transferuar me parametër zero sezonin tjetër në Paris, por ekziston edhe mundësia që lojtari të largohet nga zikaltërit që në merkaton e janarit.
Sipas të përditshmes franceze, klubi i Al-Khelaifit do të ofrojë 10-15 milionë euro për të bindur Interin, që të mos e humbasë lojtarin falas pas 6 muajsh. / Oversport.tv