Në gjurmët e të atit, Mick Schumacher mbetet në Formula 1

Mick Schumacher do të garojë në Formula 1 edhe sezonin e ardhshëm. Piloti gjerman, djali i legjendarit Michael, është konfirmuar nga skuadra amerikane Haas edhe për vitin tjetër.

“Të jem një nga 20 pilotët që garojnë në Formula 1 do të thotë shumë për mua. Po jetoj ëndrrën time. Viti im i parë tek skuadra Haas ka qënë deri këtu shumë emocionues dhe instruktiv.

Jam i sigurtë se ato që kam mësuar këtë vit, do të më shërbejnë shumë në vitin 2022 kur do të hyjnë në fuqi rregullat e reja. Duke marrë në konsideratë ambicjet e skuadrës Haas dhe ndihmën e Ferrarit, jam i bindur se vitin e ardhshëm do të jemi më të fortë dhe do të luftojmë për t’u futur në zonën e pikëve.

Kjo skuadër po bëhet gjithmonë e më e fortë dhe mezi pres që të jap kontributin tim që ta ngjis sa më lart në renditje”-ka deklaruar Schumacher Junior. Shoku i skuadrës do të jetë sërish rusi Nikita Mazepin. /Oversport.tv