Tirana do të luajë në turin e parë kualifikues të Conference League përballë skuadrës gjeorgjiane të Dinamo Batumim ish-ekipi i Khvicha Kvaratskhelia. Në Nion të Zvicrës, bardheblutë kanë mësuar rivalin për shortin e hedhur në bazë të një skeme të përcaktuar më herët nga organizatorët ku ekipet pjesëmarrëse ishin ndarë në grupe.
Sa i përket historisë së këtyre dy klubeve, Tirana është krejtësisht superiore për faktin se Dinamo Batumi ka fituar vetëm një herë kampionatin në vitin 2021, një herë Kupën e Gjeorgjisë dhe dy herë Superkupën.
Mirëpo, krahasimisht, Dinamo Batumi e ka vlerën sipas transfermarkt 8.05 milionë euro, ndërsa Tirana rreth 5 milionë euro.
Bardheblutë janë shpërngulur në Ohër ku kanë kryer fazën përgatitore ku do të zhvillojnë edhe 2 ndeshje testuese, ndërkohë që drejtuesit nga dita në ditë janë duke kompletuar ekipin me afrime me peshë për kampionatin shqiptar.
Nga ana tjetër, skuadra gjeorgjiane e cila edicionin e vjetshëm e përfundoi në vend të dytë është në aktivitet për shkak të specifikës së kampionatit vendas dhe ka zhvilluar 19 javë për sezonin 2023-2024 duke qenë e para me 12 fitore, gjashtë barazime dhe vetëm 1 humbje në 19 takime. Për vetë formën e treguar, Dinamo Batumi ka shënuar 40 gola në 19 ndeshje dhe ka pësuar 21, pra mesatarisht shënon dy gola për ndeshje dhe pëson thuajse një.
Bardheblutë luajnë ndeshjen e parë më datën 13 korrik në Air Albania dhe ndeshjen e kthimit e luajnë 7 ditë më vonë në Gjeorgji në stadiumin Batumi Stadium ose Adjarabet Arena me një kapacitet prej 20 mijë tifozësh. /oversport.tv