Në Madrid e bëjnë fakt transferimin, Mbappe është ylli projektit të ri

Duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm Kylian Mbappe mund të fillojë zyrtarisht që të negociojë për kontratën e tij të ardhshme, duke marrë në konsideratë faktin se ajo aktuale me PSG-në skadon qershorin e ardhshëm.

Marrëveshja me Realin e Madridit është arritur prej kohësh dhe sipas asaj që shkruan AS, “los blancos” kanë të sigurtë që sulmuesi do të veshë fanellën e tyre sezonin e ardhshëm.

Paga e tij nuk është një problem për klubin madrilen, që ka përfshirë Mbappénë në të gjitha planifikimet e saj për sezonin e ardhshëm si nga ana sportive edhe nga ajo e imazhit.

“Kylian është shumë serioz dhe për këtë arsye në verë vendosi që të largohej, duke synuar që të çojë para në arkat e PSG-së. Djaloshi u soll drejt, nuk mund të bënte më shumë. Tani do të vijë falas dhe ky është vetëm faji i tyre”, kanë komentuar njerëz pranë klubit madrilen.

“Këtu nuk do të ndihet si një lojtar i dorës së dytë, siç po ndodh në Paris me Messi dhe Neymar. Këtu do të jetë ylli i një projekti ambicioz, që shpreson që të bëjë për vete të gjithë botën”, flitet në zyrat qendrore të klubit madrilen, sipas asaj që shkruan AS. / Oversport.tv