Në Madrid gëzojnë për Mbappe, Perez: Në 1 janar zgjidhet gjithçka

Deklaratat e sotme për prestigjiozen “L’Equipe”, rikthejnë vëmendjen e botës së futbollit tek e ardhmja e Kylian Mbappé. Kërkesa për t’u larguar nga PSG-ja dhe dëshira për t’u bashkuar vetëm me Realin e Madridit kanë patur një jehonë të madhe edhe në Spanjë.

Sipas “AS”, fjalët e sulmuesit francez janë pritur me gëzim dhe kënaqësi në kampin madrilen, që tashmë janë të bindur se sezonin e ardhshëm, Mbappe do të luajë në skuadrën e Realit.

Në Paris tashmë e kanë pranuar faktin se sulmuesi do të firmosë në 1 janar një para-kontratë, që do ta çojë në Madrid verën e ardhshme, duke hapur një kapitull të ri jo vetëm në klubin “merengues”, por edhe në gjithë futbollin europian.

“Shpresojmë që në 1 janar gjithçka të zgjidhet. Do të kemi të reja në lidhje më këtë çështje”, ka thënë presidenti i Realit, Florentino Perez në lidhje më këtë temë. /Oversport.tv