Në Shkodër luhet për Europën, në Kukës inaugurohet stadiumi i ri

Java e 30-të e kampionatit shqiptar të futbollit do të startojë sot me dy sfida shumë interesante. Në “Loro Boriçi” në orën 16:45 do të përballen Vllaznia dhe Partizani, në një sfidë që vlen shumë për të dyja skuadrat, pasi është një betejë direkte për një vend në Kupat e Europës.

1 pikë i ndan 2 skuadrat në tabelën e klasifikimit dhe të si shkodranët edhe kryeqytetasit synojnë maksimumin në këtë përballje që të mbajnë gjallë shpresat për vendin e tretë në renditje, bileta e fundit që të çon në Europë.

Pas eliminimit nga Kupa, Partizani kërkon të marrë hak, duke synuar fitoren në transfertën e sotme në Shkodër.

Në mbrëmje në orën 20:00 do të luhet një tjetër sfidë interesante. Kukësi i vendit të tretë sfidon Laçin e vendit të dytë në stadiumin më të ri në vend, “Kukës Arena”, që do të inaugurohet mbrëmjen e sotme.

Vendasit kërkojnë që këtë ditë të shënuar ta festojnë me një trepikësh, ndërsa miqtë synojnë të ruajnë pozicionin që kanë në renditje. / Oversport.tv