Nedved: Lojtarët janë të përqendruar te fusha, nuk është ky viti më i vështirë

Pavel Nedved, zëvendës-presidenti i Juventusit siguron ambientin bardhezi, pavarësisht ecurisë jo të mirë të skuadrës në Serie A dhe hetimit të nisur nga prokurorët e Torinos në lidhje me transfertat fiktive të bëra nga klubi për të rregulluar bilancet (plusvalencat).

“Ka vështirësi, ndonjëherë mendon se je i fortë dhe gjithçka të shkon keq. Pastaj ka vite kur ndihesh më pak i fortë, por gjërat të shkojnë mirë. Është e vështirë ta thuash me saktësi.

Nuk është bërë asnjë hap më i madh se mundësitë që kemi. Kemi bërë komunikatën ku shprehemi shumë qartë, ka folur edhe presidenti Agnelli, i ka folur skuadrës dhe punonjësve të klubit, foli edhe John Elkann. Nuk është e drejtë që të flas unë.

Do të ndikojë ky hetim te skuadra? Nuk besoj se ka probleme brenda klubit. Nëse flas për skuadrën, lojtarët s’kanë lidhje fare. Kam eksperiencë, lojtarët janë të përqendruar te fusha e blertë. Nuk besoj se shohin klubin, unë kam 11 vite që kam lënë futbollin dhe kemi përjetuar shumë gjëra të vështira në këto vite.

Është ky viti më i vështirë? Nuk besoj. Kishte vështirësi më të mëdha në të shkuarën dhe u zgjidhën. Kjo është pjesë e të qënit Juventus. Ne jemi të nderuar dhe krenar që mund të përfaqësojmë këtë klub”, ka thënë Nedved. / Oversport.tv