Nedved mbron Juventusin: Të tjerët kanë 10 vite pa fituar

Pavel Nedved ndez sfidën Juventus-Roma. Zëvendëspresidenti i Juventusit thotë se do të jetë një duel i bukur dhe i rëndësishëm edhe për të treguar se “Zonja” e ka lënë pas momentin e vështirë.

“Do të jetë sfidë e bukur për t’u parë. Koha për t’u përshtatur është normale. Ne ndryshuam trajner edhe pse është sërish Allegri. Tani nuk duhet të ndalemi më, sepse të tjerët po vrapojnë”, tha ai.

Nuk munguan as kundërpërgjigjet për kritikat e mëdha që ka pasur Juventusi gjatë kësaj kohe. “Shpresoj që të gjithë të kujtojnë që në këtë periudhë kemi fituar një titull dhe 2 Kupa Italie. Ka shumë ekipe të tjera që në 10 vite nuk kanë fituar asgjë. Kritikat janë të mira, por kur bëhen ashtu siç duhet”, vazhdoi më tej çeku.

Atë nuk e tremb aspak presioni për të fituar. “Jemi mësuar me situatë të tillë. Kush do të luajë dhe të punojë me Juventusin duhet ta dijë diçka të tillë. Gjatë këtyre viteve kemi fituar shumë dhe kemi ndryshuar shumë.

Tani po përpiqemi të ndërtojmë diçka të madhe. Kemi investuar në futbollistë të rëndësishëm. Ka vështirësi në këto momente, por e ardhmja është e jona”, përfundoi Nedved./Oversport.tv