Nesta: Milani ka shansin e jetës, Ibrahimovic luan deri në moshën 80-vjeçare

Heshtni të gjithë. Po flet Alesandro Nesta. Dhe kur flet një ish-mbrojtës i kalibrit të tillë, të tjerët duhet të dëgjojnë. Legjenda e Milanit dhe kombëtares italiane ka analizuar ecurinë pozitive të “Djallit” dhe thotë se Zlatan Ibrahimovic mund të luajë deri në moshën 80-vjeçare.

A ekziston një sekret për suksesin?

Në këtë Milan ka qartësi dhe vizion të përbashkët. Klubi zgjedh lojtarët funksionalë dhe trajneri ekzalton vlerat e tyre. Milani është një ekip i shkëlqyer, mundësisht jo më i forti. Nëse nuk do të qëndrojnë të gjithë në të njëjtën anë, atëherë mund të kesh probleme edhe kur ke kampionë.

Strategjia e Milanit mund të sjellë menjëherë titullin?

Sigurisht që po. Milani dhe Napoli kanë shansin e jetës. Kuqezinjtë dinë që të përballojnë presionin dhe eksperienca do t’i bëjë që të mos gabojnë.

Por në Europë nuk duken ende gati…

Nuk është gati për Champions-in. Ka shumë të rinj, që nuk janë mësuar me kompeticionin. Mendërisht duhen rritur shumë. Kjo është një ecuri që duhet ndjekur nga të gjitha skuadrat. Milani duhet të marrë pjesë vazhdimisht dhe pastaj të ketë shansin për të konkurruar. Për të fituar duhen lojtarë kampionë që kushtojnë shumë dhe Italia nuk e ka luksin.

A ka një zgjidhje kjo situatë?

Duhet bërë si në Angli, të ndërtohen stadiume dhe struktura. Duhet të ketë presidentë si Berlusconi, Moratti, Cragnotti. Ndoshta një skuadër mund të bëjë mrekullinë për të fituar në ditët e sotme, por rregulli është i qartë: Fiton kush ka buxhet më të lartë.

Si ju duket Tomori? Milani ka investuar për të.

E konsideroj futbollist të nivelit të parë. Ka fizik dhe teknikë. Nëse dëshiron ta përmirësosh linjën mbrojtëse duhet të kesh futbollistë të tillë.

Me Kjaerin dhe Romagnolin duket se reparti është i sigurt?

Kjaer është në momentin më të mirë të karrierës. Ka ekuilibër dhe maturi. Romagnoli është i fortë dhe do të gjejë hapësira në një sezon të ngjeshur.

Shkojmë më tej. Në mesfushë Sandro Tonali po i befason të gjithë…

Në mesfushën me dy është shumë i fortë. Nuk është një mesfushor që mund të luajë më i spostuar apo i vetëm përpara mbrojtjes. Po i fiton pikët në fushë.

Ju keni qenë me Ibrën në fushë kur keni fituar titullin e fundit. Ai vazhdon të luajë ende.

Është një kampion i ndryshëm nga të tjerët sepse ka talent, forcë dhe mentalitet. Nëse i mbajnë gjunjët mund të luajë për shumë vite. Me mendjen e tij është i aftë të luajë deri në moshën 80-vjeçare. /Oversport.tv