Newcastle “kërcënon” Europën, kërkon të ndërtojë një ekip ëndrrash

“Kemi ambicje të mëdha. Do të futemi në merkato, duke synuar lojtarë të nivelit të lartë botëror”, ka deklaruar Amanda Staveley, bashkëpronarja e Newcastle, që aktualisht zë vendin e parafundit në Premier League.

Drejtuesja e re e klubit i ka premtuar tifozëve se brenda tre viteve skuadra do të fillojë të luftojë për trofetë më prestigjiozë, duke trembur kështu Europën e futbollit.

Newcastle është tashmë klubi më i pasur në Botë dhe drejtuesit e rinj janë të gatshëm të investojnë menjëherë 250 milion euro në merkato, për të ndërtuar një nga skuadrat më të mira në kontinent.

Për mesfushën emrat më të lakuar janë Isco, Coutinho, Pogba dhe Franck Kessie, ndërsa për sulmin ai që lakohet më shumë është emri i Mauro Icardit, që është gatshëm të largohet nga PSG-ja.

Paratë nuk mungojnë, prandaj anglezët mund të synojnë edhe një tjetër “xhevahir” të parizienëve, siç është Mbappè, që ka shprehur hapur dëshirën e tij për t’u larguar.

Në rrezik janë edhe “xhevahirët” e Serie A, pasi në shënjëstrën e pronarëve të rinj sauditë janë edhe Lautaro Martinez, Dusan Vlahovic dhe Victor Osimhen.

Koulibaly, është një nga objektivat kryesorë për mbrojtjen e skuadrës angleze. Newcastle ëndërron të bëjë gjëra të mëdha, ndërsa Europa trembet nga paratë e tyre. / Oversport.tv