Newcastle kërkon trajner! Potter, Fonseca dhe Gerrard kandidatët kryesorë

Trajneri i Brighton, Graham Potter është një nga kandidatët kryesorë për t’u ulur në pankinën e Newcastle, pasi pritet që drejtuesit e rinj sauditë të klubit të shkarkojnë nga detyra teknikun aktual, Steve Bruce.

“SunSport” raporton se 46-vjeçari është në krye të listës së pronarëve të rinj, pas punës shumë të mirë që ka bërë në krye të skuadrës së Brighton, që aktualisht qëndron në vendin e 6-të në Premier League, duke pësuar vetëm një humbje në këto 7 javë të para të kampionatit.

Antonio Conte ishte objektivi primar i drejtuesve të Newcastle, por italiani ka mohuar një transferim në veri të Anglisë.

Por, përveç Potterit, janë edhe disa emra të tjerë teknikësh që lidhen me stolin e Newcastle. Ish-trajneri i Romës, Paulo Fonseca dhe legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, janë dy alternativa që po merren në konsideratë, sipas asaj që raporton “The Mirror”.

Bashkëpronarja e Newcastle, Amanda Staveley, do të vendosë të ardhmen e teknikut Bruce, në mbledhjen e ardhshme të bordit drejtues. Staveley ka premtuar se klubi do të bëjë blerje të mëdha dhe të bujshme, tani që paratë nuk mungojnë.

Duket se kjo situatë e re në Premier league, ka shqetësuar klubet e tjera, që kanë kërkuar të mblidhen pas ndryshimit të pronësisë së Newcastle./Oversport.tv