Nga ekipi me vlerën më të madhe te futbollisti më i shtrenjtë, “Abissnet Superiore” ka vetëm rritje

Nga fillimi i kampionatit deri tani, “Abissnet Superiore” vlen më shumë. E thonë statistikat. Skuadrat e elitës së futbollit shqiptar kushtojnë të gjitha 42 milionë euro, ndërkohë që përpara rifreskimit të të dhënave kushtonin 35 milionë.

Diçka e tillë ka ndodhur prej rritjes së vlerës së kartonit të futbollistëve, çka reflektohet edhe në renditjen përfundimtare. Tirana dhe Partizani janë skuadrat që kushtojnë më shumë në Superiore, të dyja 5.8 milionë euro. Rezultatet pozitive të “Demave” në këtë fillim kampionati kanë bërë që të barazojnë bardheblutë, të cilët në fillim udhëhiqnin të vetëm.

Pas tyre renditet Kukësi dhe në vendin e katërt Vllaznia, skuadra që kanë ndryshuar vendet. Bie në sy gjithashtu një rritje e vlerës për Erzenin, që nga 1 milionë euro, tani kushton 2.73 milionë. Shijakasit janë pikërisht ekipi që kanë përmirësuar vlerën e tyre në treg me 84%, të ndjekur nga Bylis dhe Egnatnia. E vetmja skuadër që ka pësuar rënie është Kukësi me 3.1%.

Sa iu përket futbollistëve, lojtari më i shtrenjtë i futbollit shqiptar është Redon Xhixha dhe vlera e kartonit të tij është 550 mijë euro, ndërsa i dyti është sulmuesi i Partizanit Xhuliano Skuka me 500 mijë euro. Pas tyre janë 4 lojtarë me vlerën 400 mijë euro: Hasani, Rrapaj, Bekaj dhe Bitri.

Por lojtarët që kanë pasur rritjen më të lartë në treg janë të rinjtë që më parë nuk kishin fare vlerën e kartonit në transfermarkt: Rejan Alivoda dhe Pauolo Buxhelaj, sot kushtojnë 300 mijë euro. /oversport.tv