Nga futbolli në lagjen e varfër, te kalimi në Slloveni: “Zbërthehet” talenti Nerguti

Henrik Nerguti, mesfushori shqiptar që luan me NS Mura në Slloveni, është pjesë e Shqipërisë U19 dhe së fundmi është rrëfyer për FSHF.org. Futbollisti 18-vjeçar tregon se si nisi gjithçka për të: “Në fillim luaja në lagje me shokët, kur isha vetëm 4 vjeç. Aty fillova ta pëlqeja shumë futbollin. Njeriu që më ka shtyre drejt këtij sporti është babai im.

E vetmja gjë që më shtyn është egoja ime dhe e shkuara. Jam djalë që gjithmonë kërkoj të jap më të mirën nga vetja. Po ashtu jam rritur në një lagje relativisht të varfër dhe dua t’i ofroj familjes time një jetë më të mire. E vetmja mënyrë për ta arritur është që të bëhem më i mirë çdo ditë në punën që bëj”.

Nerguti kujton edhe herën e parë kur veshi fanellën kuqezi: “Kur u thirra për herë të parë u ndjeva vërtetë mirë. Ishte ëndrra ime të vishja fanellën e kombëtares. Ka qenë rrugë e vështirë sepse konkurrenca ishte e madhe. Megjithatë momenti erdhi dhe është koha të jap më të mirën.

Nga momenti i parë mbaj mend çastin kur vesha fanellën dhe ishte thjesht fantastike! Po ashtu nuk mund të lë pa përmendur dhe momentin kur kënduam së bashku me shokët për herë të parë himnin përpara ndeshjes. Aty të bëhej mishi kokërr”.

i riu flet edhe për kalimin nga Internacional Tirana te NS Mura në Slloveni dhe kjo nuk është e lehtë: “Impakti i parë është pozitiv sepse je entuziast, por në fakt ka qenë shumë e vështirë kur kam mbërritur këtu, pasi nuk e di gjuhën sllovene”.

Merguti e ka një lojtar që e motivon atë dhe është një shqiptar që luan për Arsenalin dhe kombëtares e Zvicrës. “Lojtari shqiptar që e kam vëzhguar gjithmonë ka qenë Granit Xhaka. Jo vetëm sepse luan në rolin tim, por edhe për shpirtin luftarak dhe grintën e madhe që ka.

Ndihesh mirë kur sheh se shumë djem shqiptar luajnë në kampionate të një niveli të lartë. Kjo mund të çojë padyshim në rritjen e cilësisë në kombëtare. Megjithatë duhet hedhur edhe një sy në kampionatin shqiptar. Edhe pse nuk është në nivel shumë të lartë, sërish gjen djem që janë vërtetë të talentuar”, shprehet mesfushori Henrik Nerguti. / oversport.tv