Nga gabimet dhe të mirat në karrierë te monedha e Morattit, zbërthehet Balotelli

Në një intervistë të gjatë dhënë për DAZN, Mario Balotelli iu rikthye edhe njëherë fazave të para të karrierës së tij, si dhe bëri një bilanc me momentet më të bukura dhe eksperienca të caktuara në të shkuarën.

“Jam i lumtur me karrierën time, kam fituar gjithçka në nivel klubesh. Më mungon diçka me kombëtaren dhe kjo është diçka për të cilën mund të pendohem. Megjithatë, shpresoj të mos jem shumë vonë”.

RIKTHIMI NË KOMBËTARE- “Isha shumë i lumtur. Ishte vetëm një moment, por isha shumë i emocionuar sepse nuk e prisja. Mund të prisja gjithçka tjetër, përveç kësaj. Shpresoj që Italia të shkojë në Botëror. Maqedonia në letër mund të konsiderohet më e dobët, por nuk duhet ta nënvlerësojmë. Nuk është për t’u nënvlerësuar as Turqia”.

MOMENTI MË I BUKUR- “Europiani pa asnjë dyshim. Festimi kundër Gjermanisë? Isha pak më i dobët atëherë, tashmë jam më i shëndoshë. Nëse humbas edhe një kilogram, do të isha perfekt (qesh)”.

MANCINI- “Në karrierën time ka qenë ai që më ka bërë të nisë karrierën time me Interin. Kishte një situatë me Ibran, ku nuk po shkonin shumë mirë, Adriano nga ana tjetër që herë ishte e herë jo. Ishin gjithashtu Cruz dhe Crespo, diçka që asnjë trajner tjetër nuk do ta bënte”.

INTER- “Nëse ndonjë tifoz më ka urryer, mund ta kuptoj. Ndoshta nga historia me fanellë ose sepse kam shkuar te Milani. Nëse dikush më ka ofenduar, jo me kore raciste, unë e kuptoj”.

FANELLA E INTERIT E HEDHUR NË TOKË- “Do ta anuloja si moment nëse do të mundesha. I doja shumë tifozët e Interit. Në sfidën kundër Barcelonës hyra mirë në fushë, gabova një pasim dhe menjëherë filluan të më fishkëllenin. E mora shumë keq sepse nuk kishte ndodhur kurrë.

Do të më pëlqente të kthehesha në një legjendë të Interit. Me Morattin e kemi folur dhe objektivi ishte pikërisht ky. Moratti është i paarritshëm. Më ka dhuruar një monedhë ari dhe unë pyeta vete se çfarë ishte.

Unë nuk e kuptova dhe shkova te dhomat e zhveshjes dhe ia tregova Materazzit. Më tha se ai ia kishte dhuruar atë Ronaldos, Recobës, Adrianos dhe Ibrës. E kuptova se çfarë përfaqësonte ai gjest dhe nuk e kam harruar. Është i paarritshëm, si njeri dhe si gjithçka tjetër. Atë monedhë e kam edhe sot”.

RIKTHIMI NË ITALI- “Është diçka e vështirë. Në Itali mendoj se do të jetë e vështirë”.

NAPOLI- “Po të mos ishte për De Laurentiisin, do të isha aty që prej 10 vitesh. Jam i dashuruar me Napolin, do të luaja aty përgjithmonë. Aty ka lindur edhe vajza ime, madje i kam thënë Raiolas se më pëlqente të luaja aty”.

E ARDHMJA PAS FUTBOLLIT- “Do të ishte inkurajuese nëse do të flisja me çuna për t’i treguar se çfarë ka shkuar mirë dhe çfarë ka shkuar keq në karrierën time, për t’i paralajmëruar ata. Do të ishte e bukur sepse do t’i evitoja shumë probleme atyre. Ndoshta bëhem edhe gazetar (qesh)”. /oversport.tv

Foto: Adana Demirspor Kulübü, Facebook