Nga Gjermania ka një skenar për Hernandez: Ditën stërvitje, natën në burg

Sipas asaj që shkruan “Bild”, Lucas Hernandez mund të vuajë dënimin e tij me burg në Gjermani, që nga 28 tetori. Kujtojmë se lojtari është dënuar në vitin 2018 me 6 muaj burg, sepse nuk ka zbatuar vendimet e gjykatës pas një rasti të dhunës në familje.

Të hënën francezi ka qenë prezent në Gjykatën e Madridit, ku u njoh me masën e marrë ndaj tij dhe në të njëjtën kohë apeloi vendim e dhënë nga gjykata. Hernandez shpreson akoma që të dalë i pafajshëm para 28 tetorit, sepse në të kundërt do të detyrohet që të vuajë dënimin e tij.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja gjermane, futbollisti mund të vuajë dënimin e tij në Gjermani, pasi është rezident aty. Në këtë mënyrë mund të stërvitet gjatë ditës dhe më pas të shkojë në burg.

Ka edhe një precedent të tillë, po në skuadrën e Bayernit, që lidhet me Uli Hoeness, që vuajti në këtë mënyrë dënimin e tij për evazion fiskal. / Oversport.tv