Nga Inter e Barça te Gigi Simoni e Spezia, “zbërthehet” Rey Manaj

Rey Manaj është duke kaluar një formë të mirë te Spezia duke ndihmuar edhe ekipin të fitojë katër nga pesë ndeshjet e fundit. Sulmuesi shqiptar dha një intervistë për Il Secolo XIX ku foli për eksperiencën e tij në Itali.

Rey Manaj mbërriti te Spezia nga skuadra B e Barcelonës në një marrëveshje huazim me të drejtë blerje për 2.7 milionë euro.

FILLESAT NË FUTBOLL- “Në fillim, pasi erdhëm nga Shqipëria u vendosëm në Castelchiodato di Roma, më pas më në veri në Codogno. Aty kam filluar futbollin duke bërë ndeshje me miqtë.

Më pas u rrita në Piacenza ku qëndrova për katër vjet derisa klubi falimentoi. Ishte një fatkeqësi, shumë u larguan dhe ishin disa skuadra nga Serie A që më kërkonin, për ekipet e tyre të të rinjve. Por për fat të mirë kisha babain tim pas meje, i cili preferoi të mos bëja hapa shumë të gjatë për t’u rritur dhe ne zgjodhëm Kremonën”.

TAKIMI ME GIGI SIMONI – “Një baba i dytë, një person unik dhe i ndjeshëm. Në një moment të caktuar pas huazimit te të rinjtë e Sampdorias, isha pa kontratë profesionale. Unë doja të sistemohesha dhe të jetoja pa ndihmën e prindërve të mi.

Ne ishim në një grumbullim me ekipin, por edhe pse isha i ri, shkova në dhomën e tij dhe i thashë qartë se nëse ajo kontratë nuk do të vinte, do të shkoja në shtëpi. Veproi me ndjeshmëri, por më pas më tha “bëj si të duash, duhet të rritesh”. Megjithatë, katër ditë më vonë, më thirrën për të nënshkruar”.

REFUZIMI I SAMPDORIAS DHE INTERI – “Gabuan, pati një marrëveshje, më pas Ferrero u përpoq të ndryshonte pak propozimin dhe Cremonese tha jo. Shkoi më mirë se sa pritej, sepse më pas shkova te Interi.

Kam debutuar me Mancinin në moshën 18-vjeçare, por problemi i një lojtari që arrin ato nivele, edhe nëse ka talent, nuk është të arrijë Interin, por të qëndrojë atje. Dhe në atë moshë, duke përfshirë edhe mua, ju nuk e kuptoni mirë se si janë gjërat.”

SHUMË HUAZIME DHE MË PAS BARCELONA – “Në disa situata shkoi mirë, në të tjera më pak, nuk gjeta vazhdimësi, por më pas mbërritën ofertat spanjolle. Një ditë më thirrën Abidal dhe Ramon Planes të Barçës dhe më shpjeguan se qëllimi ishte të më çonin në Camp Nou, duke nisur një rrugë që do të fillonte nga ekipi B. Do të kisha mundësinë të stërvitesha me ekipin A dhe me kampionë të paarritshëm, por më duhej të prisja. Si mund t’i thuash jo klubit më të rëndësishëm në botë.”

EKSPERIENCA TE BARCELONA- “Kontrata ishte e shkëlqyer, do ta rishikonim pasi t’i bashkohesha ekipit A. Ia dola mirë tek ekipi B dhe Setien, trajneri i Barçës më mori edhe në pankinë në LaLiga kundër Getafes. Kur erdhi Koeman, e nisa fazën përgatitore me gola, por kishte pak vend për mua.

Kam luajtur me yjet e futbollit dhe e di që në stërvitje ke dikë që është e pamundur t’i heqësh topin. Por edhe kur dëshiron, e di se nuk mund të luash fort, nuk mund të bësh keq me një trashëgimi të futbollit dhe historisë. Messi më bëri dhuratë fanellën e tij, po ashtu edhe Pique, janë ëndrra që bëhen realitet”.

SHUMË OFERTA, POR ZGJEDH SPEZIAN- “Freiburg, Anderlecht, pastaj Sassuolo, në ditët e fundit Betis. Më pas u fut në garë Spezia, fola me ta dhe u binda. Nuk mendoj se kam gabuar. Edhe në këtë merkato dimërore kam pasur oferta për t’u rikthyer në LaLiga, por mendoj vetëm për Spezian. Këtu jam mirë. Më vonë gjatë verës do të ulem me agjentët e mi dhe do të studiojmë zgjidhjen më të mirë me të dy klubet”.

OBJEKTIVAT– “Dua mbijetesën me Spezian dhe të ruaj vendin tim në kombëtare. Reja më ndihmon shumë, flasim shpesh”.

THIAGO MOTTA- “Ka vetëm zëra për marrëdhëniet e mia të tensionuara me trajnerin. Kam pasur një javë të vështirë, edhe fizikisht, kam bërë pak stërvitje dhe kam qëndruar në shtëpi. Ai të respekton dhe vetë është i respektuar”.

PIKA E KTHESËS- “Ndoshta mund të mendoni për sfidën me Napolin, por unë them nga Lecce. Ne prekëm fundin dhe më pas krijuam një ekip. Më pas në kthesa erdhi në derbin me Genoan, i cili u ndje nga të gjithë në mënyrën e duhur”, përfundoi Manaj. /oversport.tv