Nga ish-i i Marseille, te Marku, Qaka e Maliki: Sa shumë zëra në merkaton e Superiores

Superiorja ende nuk ka nisur, ndërkohë që edhe merkato mbetet e hapur për një pjesë të klubeve. Madje mund të thuhet se po tentohen goditje të mëdha. E përditshmja “Panorama Sport” raporton për disa operacione të orëve të fundit.

Partizani thuhet se po tenton të huazojë Albion Markun nga Lokomotiva Zagreb, por duhen caktuar disa detaje që të ndodhë diçka e tillë. Dinamo nga ana tjetër ka akord me Edis Malikin, me të cilin kishte biseduar prej kohësh.

Fillimisht nuk pati akord dhe Maliki, në kushtet kur te Lokomotiva nuk ka vend, por tani gjërat kanë ndryshuar dhe mbrojtësi pritet të rikthehet në Superiore, ku ka spikatur me Kukësin.

Kamer Qaka është një tjetër emër që ka dalë në skenë. Shkëndija nuk e pengon mesfushorin të largohet dhe Kukësi është gati ta afrojë në skuadër, lojtarin që Christian Panuçi kohë më parë e afroi në kombëtare.

Lëvizje edhe në repartin e goleadorëve. Teuta largon Arsenio Vaalport, holandezin që e afroi para pak ditësh për sulmin. Te Egnatia po tentojnë një sulmues që i ka hedhur hapat e parë në Ligue 1, me Marseille.

Ai ka luajtur tre ndeshje në sezonin 2011/12 dhe më pas ka nisur ulja në karrieren e tij, duke luajtur në ligat inferiore në Francë. Në vitin e 2013 ka veshur fanellën e Plovdiv elitën e futbollit bullgar. Më pas ka luajtur edhe me Beroe, Spartak Pleven, Septemvri Sofia, Etar. Aktualisht luan me Montana në ligën e dytë bullgare dhe këtë sezon numëron 6 ndeshje dhe asnjë gol të shënuar. / oversport.tv