Nga lojtari më i madh i Milanit tek historitë më pikante, Berlusconi kujton vitet e arta me kuqezinjtë

Monza-Milan për Silvio Berlusconin nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat. Më shumë se sa një përballje futbolli, do të jetë një sfidë romantike për presidentin legjendar të Milanit që tashmë është kreu i klubit të Monzës. Në prag të kësaj sfide nuk kishte se si të mungonte një retrospektivë nga Berlusconi që kujton hapat e parë me Milanin e tij.

“Gjatë gjithë jetës time kam pasur ëndrra që të tjerëve i janë dukur të parealizueshme. Kur bleva Milanin, doja që ta ktheja në skuadrën më të fortë në botë dhe ia dola”, shprehet fillimisht Berlusconi, që zbulon edhe një kujtim të bukur nga viti i largët 1994, kur Milani mposhti Barcelonën në finalen e Champions League në Athinë.

“Me Milanin kam fituar gjithçka. Në vitin 1994 kam një kujtim që nuk do ta harrojë kurrë. Isha në Romë ku po kërkoja besimin e Qeverisë dhe për këtë arsye nuk kisha mundësi të ndiqja finalen e Athinës. Kam telefonuar Gallianin në fundin e ndeshjes dhe më tha që fituam 4-0. Në fund, duke përmbledhur gjithçka kemi fituar, ndjej ende krenari për çfarë kemi arritur me Milanin.”

Lojtarët që kanë shkëlqyer me Milanin në periudhën kur drejtohej nga Berlusconi kanë qenë të shumtë. Me disa prej tyre ka ende raporte shumë të ngushta, por presidenti legjendar guxon dhe tregon emrin më të madh që ka luajtur për Milanin sipas tij.

“Maldinin e dua shumë, është djalë dhe baba i lojtarëve të Milanit. Unë dua shumë lojtarë nga Milani im, siç janë Gullit dhe Van Basten. Megjithatë, më i madhi nga të gjithë është Baresi. Lojtar fantastik, një njeri shumë i nderuar, që është dashur dhe respektuar nga të gjithë, madje edhe nga kundërshtarët”, përfundoi Silvio Berlusconi.

Ndërkohë që sfida Monza-Milan do të luhet ditën e shtunë në orën 18:00 dhe do të keni mundësi ta ndiqni live në Oversport dhe platformën Tibo. /oversport.tv

Foto: AC Monza, Facebook