11 futbollistë kanë gjetur menjëherë golin në javën e parë të Serie A me skuadrat e reja. Për disa prej tyre ka qenë ndeshja e parë e karrierës në kampionatin Italian, të tjerë kanë ndryshuar fanellë, ndërsa Lukaku i rikthyer te Interi pas eksperiencës 1-vjeçare tek Chelsea. Më poshtë vjen lista e plotë e tyre:
1-Romelu Lukaku (Inter)
I ardhur në huazim për një sezon nga Chelsea për 8 milionë euro plus 4 bonuse, gjeti menjëherë rrjetën në minutën e 2-të duke zhbllokuar sfidën ndaj Leçes.
2-Adam Masina (Udinese)
U ble nga Watford për 5 milionë euro dhe u bë protagonist që në debutim. Ai shënoi golin e barazimit të përkohshëm 2-2, në sfidën ndaj Milanit.
3-Ademola Lookman (Atalanta)
U transferua në Bergamo për shifrën e 15 milionë eurove nga gjermanët e Laipzig. Realizoi golin që çoi shifrat në 0-2 në transfertën ndaj Sampdorias.
4-Aleksej Miranchuk (Torino)
Kaloi nga Atalanta në Torino si huazim me të drejtë blerje për 12 milionë euro. Gjeti golin në minutën e 43-të duke zhbllokuar sfidën ndaj Monzës.
5-Luka Jovic (Fiorentina)
Klubi nga Firence mori me parametër zero shërbimet e tij nga Reali i Madridit, por spanjollët do të përfitojnë 50% të çmimit të shitjes së tij në të ardhmen. Sulmuesi serb gjeti golin pas 34 minutave në debutimin e tij në Serie A, duke çuar Fiorentinën në avantazhin provizor 2-1 ndaj Cremoneses.
6-Rolando Mandragora (Fiorentina)
Kartoni i tij u ble nga Juventus për 8.2 milionë euro. Goli i tij në minutën e fundit, i ndihmuar nga gafa e portierit Radu, i dha fitoren Fiorentinës ndaj Cremoneses.
7-Ricardo Okereke (Cremonese)
I ardhur nga Club Brugge me titull definitiv pas huazimit tek Venezia. Sulmuesi nigerian gjeti golin pas 19 minutave duke barazuar përkohësisht sfidën ndaj Fiorentinës.
8-Assan Cessay (Lecce)
I ardhur te Lecce pas skadimit të kontratës me Zurich. Shënoi një gol shumë të rëndësishëm në minutën e 48-të duke barazuar provizorisht takimin ndaj Interit.
9- Khvicha Kvaratskhelia (Napoli)
I afruar si zëvendësues i kapitenit Lorenzo Insigne nga Dinamo Batumi, sulmuesi gjeorgjian e justifikon menjëherë besimin e teknikut Luciano Spalleti. 37 minuta lojë kanë mjaftuar për Kvaratskhelia që të realizojë golin e tij të parë në Serie A, në ndeshjen debutuese.
10- Thomas Henry (Hellas Verona)
Pas një sezoni relativisht të mirë në Serie A me Venezian, Henry transferohet te Hellas Verona për të zëvendësuar sulmuesin në largim Giovanni Simeone. Edhe pse ekipi i tij u mposht 5-2 ndaj Napolit, sulmuesi francez lë shenjën e tij duke realizuar golin e dytë për Veronën dhe të parin në debutimin e tij në Serie A me klubin e ri.
11- Angel Di Maria (Juventus)
Pas një kalvari të gjatë negociatash, Juventusi arriti të bindë Di Marian për t’u transferuar në Torino si një lojtar i lirë. Sulmuesi argjentinas pritet të jetë një lojtar kyç për “Zonjën e Vjetër” dhe e tregon menjëherë që në ndeshjen e tij të parë. /oversport.tv
Foto: Inter, Facebook