Nga mishi te numri 19, rrëfehet Correa: Pse më quajnë të gjithë “Tucu”

Joakin Correa, i njohur nga të gjithë si “Tucu” ka sot shansin e artë për të luajtur si titullar për herë të parë me fanellën e Interit. Kundër Bolognas do të formojë dyshen e sulmit me Lautaro Martinezin. Zikaltrit kanë zgjedhur një mënyrë interesante për ta prezantuar përpara tifozëve, duke iu përgjigjur disa pyetjeve në “Instagram”. Nga mishi i skarës, te numri në fanellë dhe te nofka “Tucu”. Argjentinasi i tregon të gjitha.

Cila është kafsha juaj e preferuar?

Qeni. Kam dy në shtëpi dhe sigurisht që është kafsha ime e preferuar.

Sa shumë e kishit pritur këtë moment?

Shumë. Kam pritur shumë vite për të ardhur tek Interi. Është skuadra e zemrës dhe kam punuar për të arritur këtu. Realizova një ëndërr. Tani shpresoj që gjithçka të shkojë mirë.

Cili nga shokët ju ka pritur më mirë?

Thuajse të gjithë. Por me Lautaron kam raport ndryshe nga të tjerët sepse e njihja më parë. Që kur qarkulluan lajmet se mund të vija tek Interi më telefononte dhe më shtynte që të vija në Milano. Por të gjithë më kanë pritur mirë.

Pse ke zgjedhur numrin 19?

Është një numër që më ka pëlqyer gjithmonë. Më ndihmoj edhe ime më për ta zgjedhur këtë numër.

Si të duket Milano?

Më ka pëlqyer shumë. Kam shëtitur pak gjatë këtyre ditëve dhe është bukur. Shpresoj që t’ia kaloj mirë këtu.

Çfarë emocionesh përjetuat kur shënuat golin e parë me Interin?

Diçka e jashtëzakonshme. Doja ta nisja mirë dhe për fat e fituam atë ndeshje.

Pse ju thërrasin “Tucu”?

Sepse jam nga një qytet i vogël i Argjentinës që quhet Tucuman dhe të gjithë ata që vijnë nga ky qytet i thërrasin kështu.

Më mirë mishi i skarës apo pastat italiane?

Unë jam fans i mishit të skarës, por këtu në Itali pastat nuk janë keq.

Si ju duket San Siro nga afër dhe sidomos në himnin e Champions-it?

Shumë i bukur. Më ka pëlqyer kur kam ardhur edhe këtu si kundërshtar. Do të jetë kënaqësi që të luaj këtu gjithmonë.

Çfarë lojtari është Lautaro?

Futbollist i madh. Unë e njoh prej kombëtares. Edhe të tjerët janë lojtarë shumë të mirë.