Nga ndeshja e bamirësisë, te takimi me Papën: Reja rrëfen eksperiencën si trajner i Vatikanit  

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, ka qenë i ftuar në një event bamirësie të zhvilluar në qendrën stërvitore të Lazios, me iniciativën e Papa Françeskut. Ndeshja me emrin “Të gjithë vëllezër” kishte trajner Mauricio Sarrin dhe numrin 1 të stolit të Shqipërisë, Edoardo Reja. Për këtë eksperiencë, Reja foli edhe për FSHF.org, ku ndau me të gjithë eksperiencën e tij.

“Ishte një event i rëndësishëm. Mora një ftesë nga presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, i cili u tregua i gatshëm për të ngritur strukturën e nevojshme sportive dhe për të organizuar këtë miqësore. Sigurisht, e pranova ftesën dhe u ndjeva mirë që u ktheva për një vizitë në ish-klubin tim, sepse që pas largimit tim nga Lacio nuk kisha qenë më aty dhe ndeshje u zhvillua në Formelo, qendrën stërvitore të Lacios.

Një nga momentet më të bukura që më la mbresa ishte fakti se në ekipin tim unë kisha një djalosh me sindromën down, i cili shënoi dy gola. Festa e atij djaloshi pas golave ishte emocionuese, ai festonte me një entuziazëm dhe lumturi të paparë, ishte vërtetë një moment prekës dhe lumturie të madhe”.

TAKIMI ME PAPËN- “Papa Françesku e kishte kërkuar këtë ndeshje për t’i shprehur mirënjohjen edhe komunitetit rom, që është i margjinalizuar. Madje, kryetari i Shoqatës Botërore të Romëve ishte një kroat, të cilin unë e kam njohur gjatë eksperiencës sime te Hajduk Spliti dhe u ndjeva mirë që u takuam sërish dhe diskutuam për ato kohë. Momenti tjetër kulmor ishte audienca e Papa Françeskut.

Në momentin e parë i thashë: “Kam përgjegjësi të madhe, sepse sot jam trajneri i skuadrës së Vatikanit. Shpresoj të bëjmë mirë”. Ndërsa ai mu përgjigj se përveç kësaj është një event i rëndësishëm për të promovuar aspektin human të komunitetit rom. Ishte e bukur të vizitoja Vatikanin, patëm mundësi të shikonim muzetë e Vatikanit dhe ishim gjithashtu të ftuar të drekë atje. Ishte një ditë e veçantë, edhe në aspektin kulturor.

Sigurisht, për ne të krishterët, takimi me Papën është diçka e jashtëzakonshme. Ka qenë një aktivitet i veçantë që më ka lënë shumë mbresa dhe plot energji pozitive”. /oversport.tv