Ngec sërish tratativa Marcelo Brozovic-Al Nassr, këtë herë pengesë bëhet Interi

Transferimi i Marcelo Brozovic drejt Al Nassr merr një tjetër kthesë të rëndësishme. Pasi dukej se gjithçka ishte mbyllur në marrëveshje totale mes të gjitha palëve, tani është Interi që ka bllokuar negociatat, pas ofertës zyrtare të paraqitur nga klubi arab.

Al Nassr dhe Interi kishin rënë dakord në parim për një marrëveshje ku zikaltrit do të përfitonin rreth 23 milionë euro nga shitja e mesfushorit kroat. Megjithatë, oferta zyrtare e ardhur nga klubi arab ka qenë në total 15 milionë euro përfshirë edhe bonuset.

Diçka e tillë i ka tërbuar drejtuesit zikaltër që kanë bllokuar menjëherë negociatat dhe nuk kanë pranuar të lënë të lirë lojtarin. Sa i përket Brozovic, ky i fundit ka pranuar ofertën arabe ku do të përfitojë rreth 100 milionë euro në kontratën e tij 3-vjeçare. /oversport.tv

Foto: Inter, Twitter