Nis sot dhe mbyllet të dielën, java e parafundit e Serie A sjell supersfida në Oversport dhe Tibo

Java e parafundit e kampionatit italian sjell supersfida në ekranin e Oversport dhe Tibo. Këtë fundjavë do të luhen ndeshjet Juventus-Milan dhe Inter-Atalanta, rezultatet e së cilave mund të vendosin fatet e garës për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm.

Java e 37-të e Serie A do të startojë sot me takimin Sampdoria-Sassuolo, që do të luhet në orën 20:45 dhe do të transmetohet në Oversport 1. Vendasit respektojnë kampionatin, pasi tashmë kanë rënë matematikisht në kategorinë inferiore, ndërsa miqtë synojnë vetëm një pozicionim sa më të lartë në renditje, pasi nuk kanë mundësi që të arrijnë zonën europiane.

Të shtunën luhen katër takime të tjera të kampionatit italian, ku spikat sfida e mbrëmjes mes Interit dhe Atalantës. Zikaltërve të Inzaghit iu mjafton një pikë që të sigurojnë Championsin, ndërsa zikaltërit e Gasperinit kërkojnë me çdo kusht fitoren që të mbajnë gjallë shpresat për një vend në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.

E diela sjell në ekranin e Oversport, 5 takime të tjera, ku spikat supersfida Juventus-Milan. Pas penalizimit prej 10 pikësh bardhezinjve u duhet një mrekulli që të mund të kualifikohen në Champions, ndërsa kuqezinjtë me një fitore në Torino do të siguronin një vend në Champions. Të gjitha takimet mund ti ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. / Oversport.tv