Një epokë e re nis te Juventusi, drejtori i ri sportiv merr detyrën ditën e sotme

Në kampin e Juventusit do të jetë një ditë vendimtare pasi do të mbërrijë një Cristiano, por jo Ronaldo. Ditën e sotme në fakt do të nisë epoka e drejtorit të ri sportiv të “zonjës së vjetër”, Cristiano Giuntoli.

Ky i fundit nuk rinovoi kontratën e tij me Napolin e cila skadonte në fund të sezonit dhe u largua pas 8 vitesh në detyrë tek kampionët e Italisë. Giuntoli vendosi që të vazhdojë punën e tij tek një tjetër ekip me histori, siç është Juventusi.

Sot, 51-vjeçari do të zbarkojë në Torino për të nënshkruar një kontratë 5-vjeçare, në të cilën do të përfitojë 2 milionë euro në sezon plus bonuse. Të pranishëm në mbërritjen e Giuntolit në Continassa do të jenë presidenti Gianluca Ferrero dhe administratori i deleguar, Maurizio Scanavino.

Megjithatë, drejtori i ri sportiv i Juventusit nuk do të mirëpritet nga trajneri i ekipit Massimiliano Allegri, pasi ky i fundit është momentalisht me pushime. /oversport.tv