Do të luhet sot në orën 16:00 në “Egnatia Arena” të Rrogozhinës finalja e Play Out-it mes Burrelit dhe Pogradecit, që do të vendosë se kush nga këto dy skuadra do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.
Fituesi i kësaj sfide teke (kujtojmë që nëse koha e rregullt mbaron në barazim, luhet koha shtesë dhe më pas penalltitë, nëse rezultati nuk ndryshon) do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm, ndërsa humbësi në Kategorinë e Dytë.
Burreli mbylli sezonin e rregullt në vendin e 10-të në Kategorinë e Parë. Matjanët luftuan deri në fund, por nuk arritën që të evitonin Play Out-in.
Në krahun tjetër qëndron Pogradeci që ka zhvilluar një sezon shumë të mirë në Kategorinë e Dytë, duke luftuar “dhëmbë për dhëmbë” me Elbasanin për kreun e Grupit B. Verdheblutë siguruan ngjitjen direkte në Kategorinë e Parë, ndërsa liqenorët shpresojnë të arrijnë këtë objektiv pas ndeshjeve shtesë. Pogradeci eliminoi në Play Off Labërinë dhe Devollin dhe tashmë duhet të luajë edhe këtë finale të fundit për të shpresuar një vend në Kategorinë e Parë. / Oversport.tv
Kategoria e Parë – Finale Play Out
Burreli-Pogradeci Ora 16:00
“Egnatia Arena”