Një finale në “Elbasan Arena”, Dinamo luan sezonin përballë Kastriotit

Dinamo dhe Kastrioti do të përballen sot në “Elbasan Arena” në orën 14:45 në një sfidë, rezultati i së cilës mund të vendosë fatet e sezonit për të dyja skuadrat.

Ka mbetur edhe një fazë nga përfundimi i kampionatit (9 ndeshje) dhe të dyja skuadrat nuk janë në pozita komode në klasifikim, pasi rrezikojnë seriozisht rënien nga kategoria.

Dinamo qëndron në vendin e parafundit në kuotën e 23 pikëve, ndërsa Kastrioti një pozicion më lart (zona Play out) në kuotën e 31 pikëve. Ky duel direkt mund të vendosë fatin e sezonit për të dyja skuadrat, por sidomos për kryeqytetasit.

Një sukses përballë një rivali direkt do të rriste shanset për mbijetesë, ndërsa një humbje do të shuante shpresat e Dinamos për të qëndruar në elitë.

Blutë e kryeqytetit po kalojnë një moment të vështirë dhe kjo pasqyrohet edhe në rezultatet që ka arritur skuadra (1 fitore në 11 ndeshjet e fundit). Fitorja është detyrim për Dinamon në sfidën e sotme.

Miqtë janë në formë shumë të mirë dhe falë rezultateve të arritura (13 pikë në 5 ndeshjet e fundit) kanë rritur ndjeshëm shanset për mbijetesë. Një sukses në këtë përballje direkte, do të afronte akoma më shumë krutanët me objektivin sezonal. / Oversport.tv

Foto: FC Dinamo Tirana Facebook