“Një herë më bërtiti për dy orë pa pushim”, Richarlison flet për Antonio Conten: Ishte si një rreshter

Mjafton të shikosh një ndeshje të ekipit që trajnon ai për të kuptuar se Antonio Conte është një trajner me dorë të hekurt. Tekniku italian njihet për ashpërsinë e tij me lojtarët dhe faktin që nuk i kursen aspak kritikat për këdo, si në mënyrë private ashtu edhe në publik.

Në çdo skuadër që ka qenë, Antonio Conte është konflikuar me drejtuesit e klubit kur nuk i kanë plotësuar dëshirat. Gjithashtu te Juventusi, shumë lojtarë me peshë kanë thënë që përballë Contes është shumë e vështirë të kesh një sjellje jo korrekte.

Rasti i fundit vjen nga Tottenhami, ku braziliani Richarlison tregon një histori për egërsinë e trajnerit italian. Ai shprehet në një intervistë për “Que Papinho” se Conte shpenzoi në një rast 2 orë rresht për ta qortuar në sy të të gjithë shokëve të skuadrës.

“Unë bëra një gabim duke dhënë një intervistë ku i kërkoja atij të luaja më shumë. Më pas i kërkova ndjesë dhe i thashë se mund të më ndëshkonte. Më përgjigjet menjëherë se shefi ishte ai. Ishte mënyra e tij për t’i bërë gjërat. Conte ishte një rreshter i hekurt. Ai shpenzoi dy orë me radhë duke më bërtitur në sy të të gjithë shokëve në një takim”, përfundoi Richarlison në intervistën e tij. /oversport.tv