Një klasike që vlen një trofe, publikohen çmimet e biletave për sfidën Tirana-Vllaznia

Futbolli shqiptar është ndalur për momentin, sepse po zhvillohet Kupa e Botës, Katar 2022. Por shumë shpejt skuadrat e Superiores do të rikthehen në fushë për të vazhduar ndeshjet e kampionatit.

Muajin tjetër, më saktë të mërkurën e 7 dhjetorit, do të jepet trofeu i parë sezonal në Shqipëri, pasi Tirana (kampionët e vendit) dhe Vllaznia (fituesit e Kupës) do të masin forcat në Superkupën e Shqipërisë. Një klasike që vlen një trofe, prandaj të dyja skuadrat do të bëjnë të pamundurën që të nisin sa më mbarë këtë sezon  futbollistik.

Klasikja mes dy skuadrave rivale të futbollit shqiptar do të luhet në “Air Albania” në 7 dhjetor në orën 19:00. Këtë sfidë mund ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

FSHF ka bërë publike edhe çmimet e biletave të kësaj sfide, që variojnë nga 500 lekë më e lira deri tek 5.000 lekë më e shtrenjta. Biletat kanë dalë në shitje nga dita e djeshme dhe mund të blihen pranë stadiumeve “Air Albania” dhe “Selman Stërmasi” si dhe në faqen online bileta.fshf.org. / Oversport.tv