Rrugëtimi i Egnatias në Europë fillon në Armeni ndaj skuadrës së Ararat Armenia. Ky është rivali që goglat e shortit i sollën përballë skuadrës rrogozhinase e cila pas një sezoni fantastik në Superiore siguroi për herë të parë pjesëmarrjen në Kupat e Europës dhe pikërisht në Conference League.
Ndërkohë që kanë nisur fazën përgatitore në Turqi, të besuarit e Tetovës janë njohur me rivalin e tyre. Ararati është një skuadër shumë e re, e krijuar vetëm prej 6 vitesh, por rrugëtimi që ka pasur ka qenë spektakolar. Ka fituar 2 herë kampionatin armen dhe një herë Superkupën e Armenisë.
Do të sfidohen 2 skuadrat e pozicionuara në vendin e tretë në kampionatet respektive, ndërsa Egnatia edhe si fituese e Kupës së Shqipërisë.
Ararat ka një vlerë 5,1 milionë euro në transfermarkt, ndërsa Egnatia 5.5 milionë euro. Një nga lojtarët më të rrezikshëm të skuadrës armene është Wilfred Eza, i cili ka arritur të realizojë 13 gola në sezonin e kaluar apo Teton Jene me 10 dhe Hugo Firmino me 9 gola të realizuar. Ararat është një skuadër që shënon shumë dhe vitin e kaluar e mbylli me 64 gola. Kjo është një pikë e fortë ku ekipi shqiptar duhet të bëjë kujdes.
Megjithatë Egnatia do të luajë 2 sfida pa frikë dhe me krenari ndaj armenëve. Stadiumi i tyre është një qendër stërvitore në Jerevan, por me shumë mundësi ndeshjet nuk do t’i zhvillojë aty pasi kapaciteti është shumë i vogël dhe ndoshta nuk i plotëson kushtet e UEFA-s.
Ararat ka luajtur 14 ndeshje në kompeticionet Europiane dhe bilanci është 7 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje. /oversport.tv