Pritej të ishte me një fund të lumtur, por martesa mes Leonardo Bonuccit dhe Juventusit është drejt divorcit. Këtë gjë mbrojtësit veteran ia ka komunikuar vetë drejtori i ri sportiv Cristiano Giuntoli dhe Giovanni Manna. Këta të fundit udhëtuan në rezidencën verore të Bonuccit në Toscana, ku i komunikuan se ai është jashtë projektit të ri për arsye teknike.
Një vendim që nuk i ka pëlqyer aspak Bonuccit i cili pretendon të kthehet në qendrën stërvitore për të bindur Allegrin se mund ta mbajë. Megjithatë, kjo gjë nuk mund të ndodhë sepse ai edhe kur të kthehet, duhet të punojë i diferencuar nga grupi, ndërsa nuk do të udhëtojë me skuadrës as në turneun në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kapiteni i ri i “Zonjës së Vjetër” tashmë është Danilo, ndërsa për Bonuccin nuk ka më vend dhe e ardhmja e tij është në dorën e agjentit Alessandro Lucci.
Bonuçi bën pjesë te grupi i lojtarëve të padëshiruar që kanë përfunduar menjëherë në merkato, njësoj si Weston McKennie, Zakaria dhe Arthur. Të katërt duhet të gjejnë skuadrën e re ku do të transferohen, ndërsa për Bonuccin ka oferta nga Anglia, me Newcastle që qëndron në “pole position”, por gjithashtu nga Italia, ku Sampdoria e Andrea Pirlos e pret në Serie B. /oversport.tv
Foto: Juventus, Facebook