Një listë plot me yje, Juventusi ka piketuar objektivat për merkaton e verës

Shumë emra në listën e blerjeve te Juve. Në verë nuk do të jetë një revolucion i plotë, por pritet pothuajse një mini-revolucion pasi drejtuesit e Juventusit duan të forcojnë skuadrën me disa blerje dhe të kompletojnë procesin e nisur në janar me afrimet e Vlahovicit dhe Zakarias. Afrime këto që do të prekin të gjitha repartet në ekip.

Për sulmin dihen emrat dhe janë gjithmonë ata të Zaniolos dhe Raspadorit. Sulmuesi i Romës dhe sulmuesi i Sassuolos nuk zëvendësojnë njëri-tjetrin pasi mund të afrohen të dy pas largimit të Dybala dhe Bernardeschi.

Në mesfushë, ëndrra është të rikthehet Paul Pogba në Torino, i cili do të përshëndetet me Manchester United në qershor pasi i skadon kontrata.

Francezi do të rikthehej te “Zonja” me Allegrin gati për ta përqafuar sërish, por gjithçka do të varet nga vullneti i lojtarit për të ulur pagën aktuale, pasi përfiton rreth 15 milionë euro në sezon.

Alternativat, le të themi me “kosto të ulët”, janë ato të Milinkovic-Savic dhe Renato Sanches. Për lojtarin e Lazios ka pasur gjithmonë interes dhe në verë mund të jetë momenti i duhur për ta rrëmbyer nga kryeqyteti, ndërsa emri i ri është ai i portugezit të Lille. Ish-mesfushori i Bayernit është kërkuar nga Milani, por marrëveshja ka ngecur për shkak të kërkesës prej 6 milionë eurosh në sezon, shumë për parametrat e kuqezinjve që kanë një limit page deri në 4.5 milionë euro.

Edhe në mbrojtje priten përforcime. Për qendrën përmendet gjithmonë emri i Rudigerit, ndërsa për krahët orët e fundit është rishfaqur emri i Emerson Palmierit. Të dy vijnë nga Chelsea dhe gati për t’u rikthyer në Serie A me fanellën e Juves. /oversport.tv