Një realitet ndryshe, pse Arabia është parajsa në tokë e futbollistëve

Nëse ekziston një parajsë në tokë, ajo njihet me emrin “parajsa fiskale”, ndërsa për futbollistët, mund të quhet thjesht Arabia Saudite. Në ditët e nxehta të verës, vendi i pasur i lindjes së mesme ka zaptuar Europën, duke “i vjedhur” kontinentit plak disa nga futbollistët më të rëndësishëm. Arsyeja është e thjeshtë, kontratat faraonike që ofrojnë të cilat janë dukshëm më superiore në raport me ato të klubeve europiane. Por tabloja nuk është vetëm bardhë e zi, sepse brenda saj ka shumë ngjyra.

Ka emra të rëndësishëm të cilët kanë refuzuar këto oferta dhe nuk janë tunduar nga paratë. Shembulli perfekt është Luka Modric, “Topi i Artë” kroat që edhe pse në shtator mbush 38-vjeç, preferoi të sfidonte veten dhe vitet mbi shpinë duke qëndruar te Real Madridi, për të mos shijuar një pension në Arabinë e sheikëve.

Megjithatë, kjo çështje zë zanafill në janarin e vitit 2023, ku arabëve “i jep zemër” për të tentuar gjithçka një nga emrat më të rëndësishëm në historinë e futbollit. As më shumë e as më pak, por vetë Cristiano Ronaldo që preferon të pranojë ofertën e Al Nassr për 200 milionë euro në sezon, pasi u largua nga Manchester United dhe bëhet kështu futbollisti më i paguar i historisë. “Unë thjesht hapa rrugën, të tjerët do të ndjekin shembullin tim” shprehet 5 herë fituesi i “Topit të Artë” pas transferimit tek Al Nassr dhe kështu ndodh. Një efekt domino që pasohet nga emra si Karim Benzema, N’Golo Kante, Kalidou Koulibaly, Marcelo Brozovic dhe shumë të tjerë. Në total, pagat e afrimeve në këtë merkato verore shkojnë në mbi 600 milionë euro.

Por pse Arabia Saudite mund të quhet ndryshe parajsa fiskale e futbollistëve? Edhe kjo përgjigje është e thjeshtë. Të gjithë yjet që nuk janë nga Arabia Saudite nuk i paguajnë asnjë taks shtetit arab.

Pra, nëse Ronaldo apo Karim Benzema fitojnë 200 milionë euro në vit, të gjitha këto para shkojnë drejtpërdrejtë në xhepin e tyre dhe shteti nuk i mban asnjë përqindje. Kjo vlen për gjashtë muajt e parë, pasi ligji i Arabisë Saudite për të të futur në sistemin fiskal të vendit kërkon të punosh të paktën 183 ditë, që do të thotë se çdo futbollist që është transferuar në këtë verë do të kthehet në taksapagues të rregull vetëm pas muajit janar të vitit 2024. Por edhe në këtë rast, futbollistët pothuajse s’kanë çfarë të paguajnë.

Kjo jo sepse Arabia Saudite është një vend pa taksa. Një shtetasi arab i mbahen 22% e të ardhurave për sigurimet shoqërore. Ndërkohë që kjo përqindje për shtetasit e huaj shkon në 2% dhe është punëdhënësi ai që duhet ta paguajë, pra vetë klubet që kanë blerë yjet e Europës. Gjithashtu shtetasit arab duhet të japin 2.5% të të ardhurave të tyre për një autoritet të quajtur Zakat, në mbikqyrje të Ministrisë së Financave dhe njihet nga ligji islamik në formën e një fondi solidariteti për të ndihmuar popullsinë në nevojë. Megjithatë, kjo vlen vetëm për vendet që janë pjesë e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, një organizatë ku marrin pjesë 6 vende të lindjes së mesme.

Përsëri asnjë nga futbollistët e transferuar në Arabi nuk preken nga kjo taksë, por kanë të drejtën e tyre ta paguajnë në mënyrë vullnetare. Arabia për futbollistët nuk ofron vetëm paga faraonike, por edhe një taksim të favorshëm për ta, ku të gjithë fitimin e mbajnë për veten e tyre, diçka që në Europë do ta kishin ëndërr.

Me pagën që marrin futbollistët në 5 kampionatet më të rëndësishme europiane, Italia i takson ata me 43%, Anglia, Gjermania dhe Franca me 45%, ndërsa Spanja me 50%.

Vend për krahasim në këtë pikë nuk ka, rasti i vetëm ku mund të taksohen yjet e rinj të Arabisë është kur do të largohen nga shteti dhe do të dëshirojnë të nxjerrin paratë e fituara nga lindja e mesme për t’i depozituar në shtetin ku dëshirojnë ata. Në këtë pikë taksa është e ndryshme në çdo shtet, por Arabia Saudite “i ka dhënë një dorë” edhe te kjo çështje sepse ka arritur një marrëveshje me 56 shtete të botës për mos u taksuar. Kështu, Arabia Saudite, nuk është thjesht një mundësi e mirë ekonomike për yjet europianë, nuk është thjesht një realitet i ri në botën e futbollit, është një parajsë fiskale dhe kush është transferuar atje e di shumë mirë këtë gjë. /oversport.t