Notat e Interit në derbi: Lautaro dhe Dzeko tradhtojnë Inzaghin

“Sportmediaset” ka vlerësuar paraqitjet e lojtarëve të Interit dhe të trajnerit Inzaghi në derbin kundër Milanit. Zhgënjejnë sulmuesit zikaltër, ndërsa më të mirët se skuadrës janë Calhanoglu, Bastoni dhe Darmian. Ja dhe notat për secilin lojtar:

Handanovic 6,5 – Nuk mund të bëjë asgjë tek autogoli i De Vrij. Është i sigurtë dhe i saktë në ato pak situata në të cilat kuqezinjtë shfaqen në zonën e tij dhe tregohet shumë i zoti në pritjen e goditjes së dënimit të Ibrahimovic.

Skriniar 6,5 – Është muri i zakonshëm, shumë i vështirë për tu kaluar. Perfekt kundër Leaos, por lodhet pak më shumë kundër Rebic.

De Vrij 6 – I pafat në rastin e barazimit të Milanit, kur shënon në portën e tij. Për pjesën tjetër të lojës, markon pa ndonjë problem të madh Ibrahimovic.

Bastoni 7 – Një tjetër siguri në grupin e Inzaghit. Nuk gabon asgjë në prapavijë, ndërsa në sulm shfaqet duke bërë kalime cilësore. (84’ Dimarco, pa notë).

Darmian 7 – Një ndeshje shumë e mirë. Merr krahun dhe bëhet një makth në fillim për Ballo Tourè, më pas për Kalulu. Fiton penalltinë e dytë. (76’ Dumfries, nota 6).

Barella 6 – Askush nuk surprizohet më nga paraqitjet e mesfushorit. Një lojtar modern taktikisht dhe perfekt teknikisht, ndonëse në derbi nuk zhvilloi ndeshjen e tij më të mirë. I pafat kur Ballo-Tourè i mohoi golin në vijën e portës. Largohet nga fusha për shkak të një problemi fizik (68’ Vidal, nota 6: mund të shënonte golin e avantazhit 2-1, por gjuajtjet e tij ndalen nga Kalulu).

Brozovic 6 – Presingu mbytës i Krunic në pjesën e parë nuk e lë të qetë. Prek më pak topa se zakonisht, loja e tij rritet në pjesën e dytë dhe manovra zikaltër bëhet më efikase.

Calhanoglu 7 – Në sytë e atyre që i thoshin se nuk kishte karakter, merr dhe realizon me qetësi olimpike penalltinë, pavarësisht fishkëllimave dhe sharjeve të ish-tifozëve të tij.

Perisic 6 – Ishte një nga lojtarët më në formë të Interit. Vrapon shumë si zakonisht, por nuk arrin që të japë pasin e saktë për dy sulmuesit zikaltër.

Dzeko 5 – Shihet pak në zonë, por lufton shumë për topin. Nuk arrin të gjejë dot zgjedhjen e duhur (76’ Correa, nota 5).

Lautaro Martinez 5 – Gjuan penalltinë e dytë, por gabon. Ky është gabimi kryesor i sulmuesit, që nuk ka zhvilluar ndeshjen e tij më të mirë.

Trajneri: Inzaghi 6 – Ndoshta meritonte më shumë pikë, veçanërisht në pjesën e dytë. “Tradhtohet” nga bomberat e tij, por gjithsesi mbetet një paraqitje e mirë. Ky Inter është shumë i vështirë për tu mundur. /Oversport.tv