Notat e Milanit në derbi: Tatarusanu heroi i papritur, Ibra nuk bie në sy

Kush janë notat që kanë marrë lojtarët e Milanit dhe trajneri Pioli në derbin e Milanos? Sipas Sportmediaset, Tatarusanu është heroi i kuqezinjve në këtë sfidë, ndërsa Ibrahimovic ka zhgënjyer. Ja dhe notat e të gjithë lojtarëve të Milanit:

Tatarusanu 7,5 – Bëhet heroi i papritur i derbit, kur hipnotizon Lautaron dhe pret penalltinë që mund të kalonte në avantazh Interin. Gjithnjë e më shumë konfidencë me fushën, Maignan mund të rikuperojë me qetësi.

Calabria 6 – Një ndeshje pa shkëndija dhe pa gabime. Kapiteni i Milanit shtyn më pak se zakonisht, por në prapavijë nuk gabon kurrë.

Tomori 6,5 – Tjetër paraqitje e madhe e mbrojtësit anglez. Ndërhyn pastër dhe me siguri, fiton duelin me Lautaron dhe është vendimtar edhe në barazimin e kuqezinjve.

Kjaer 6,5 – Ndeshja e zakonshme e danezit, që nuk rrezikon asgjë kundër Dzekos dhe i jep siguri të gjithë repartit.

Ballo-Tourè 5 – Vuan gjatë gjithë ndeshjes, në krahun e tij Interi zbret shpesh dhe gjithmonë krijon rrezik. Gabon kur pengon Darmianin në rastin e penalltisë së dytë, por shpëton në vijën fatale gjuajtjen e Barellas. Del në përfundim të pjesës së parë. (45’ Kalulu, nota 6: vuan presionin e Darmian, por është vendimtar dhe shpëton skuadrën nga goli pas dy gjuajtjeve të Vidal).

Tonali 6,5 – Është simboli i këtij Milani. Është kudo, vrapon, lufton dhe krijon. Ka një diferencë shumë të madhe me lojtarin e sezonit të kaluar. (71’ Bennacer, nota 6.5: Futet shumë mirë në ndeshje, duke bërë kalime cilësore. Manovra me të është më fluide dhe më e rrezikshme).

Kessie 5,5 – I pavëmendshëm në penalltinë e parë të Interit, për një faull të tij ndaj Calhanoglu. Është akoma larg mesfushorit që kemi parë sezonin e kaluar.

Diaz 5,5 – Nuk është në formën optimale dhe kjo duket. (58’ Saelemaekers, nota 6: Shumë i nxituar në veprime. I pafat kur godet shtyllën).

Krunic 6 – Lëvizja taktike e Piolit është e qartë: boshnjaku duhet të mbulojë në çdo hap Brozovic dhe 33-vjeçari e bën në mënyrë perfektë në pjesën e parë. Bie shumë në pjesën e dytë. (84’ Bakayoko, pa notë).

Leao 5,5 –Portugezi kishte shfaqur shenja lodhjeje që në ndeshjen kundër Portos. Nuk arrin asnjëherë që të kalojë Skriniar. (59’ Rebic 6,5: Dinamizmi i tij i mungonte shumë këtij Milani. Mban gjithmonë në presion mbrojtjen zikaltër).

Ibrahimovic 5 – Nuk duket asnjëherë në pjesën e parë, në pjesën e dytë krijon më shumë, por nuk përsërit dot paraqitjen kundër Romës. Handanovic i mohon golin nga goditja e dënimit.

Trajneri: Pioli 6 – I ngjit Krunic, Brozovicit dhe bllokon manovrën zikaltër në pjesën e parë. Skuadra bie në pjesën e dytë. Mund të rrezikonte më shumë në fund, duke hedhur në fushë Giroud në vend të Ibras. / Oversport.tv