Denver Nuggets zbret me këmbë në tokë Los Angeles Lakersin dhe i shkakton humbjen e parë pas pesë fitoreve radhazi. Nuggets triumfoi me rezultatin 122-109 në një sfidë ku miqtë ishin pa dy yjet e ekipit, LeBron James dhe Anthony Davis. Jamal Murray i Denver realizoi 34 pikë, më shumë se çdo lojtar tjetër në këtë takim, , por nuk mungon as paraqitja e mirë e Nikola Jokic që plotëson një tjetër triple-double. Ky i fundit realizoi 14 pikë, 16 asist si dhe 11 topa në tabelë.
Rikthehet te fitorja Milwaukee Bucks që mposht New York Knicks në shifrat 111-107. Një lojë e mirë grupi për Bucks që udhëhiqet nga greku Giannis drejt këtij triumfi, i cili realizon 22 pikë, 10 rebound dhe 5 asist. Nuk mjafton paraqitja e mirë e Brunson që edhe pse realizoi 44 pikë i vetëm, nuk e shmangu dot humbjen e ekipit të tij.
Tjetër fitore për Boston Celtics që vazhdon të udhëheqë Konferencën Lindore. Viktima e radhës këtë herë është Chicago Bulls që bie në transfertë me rezultatin 107-99. Me 32 pikë, më shumë se kushdo në këtë sfidë, është i përhershmi Jayson Tatum ai që udhëheq Bostonin drejt një tjetër suksesi.
Ndërkohë që Konferenca Perëndimore udhëhiqet nga Memphis Grizzlies me këta të fundit që regjistrojnë fitoren e shtatë radhazi. Këtë herë Grizzlies mposht San Antonio Spurs me rezultatin 121-113. Edhe pse me një mungesë të rëndësishme si ylli i ekipit Ja Morant, Memphies udhëhiqet nga dyshja Jones dhe Jackson që realizojnë 40 pikë së bashku për të arritur një tjetër triumf në NBA.
Në ndeshje të tjera, New Orleans Pelicans mposht në transfertë Washington Wizards me rezultatin 132-112, ndërsa sfida mes Orlando Magic dhe Sacramento Kings përfundoi me fitoren e këtyre të fundit në shifrat 136-111. /oversport.tv
Foto: Denver Nuggets, Twitter