Një legjendë e futbollit së shpejti mund t’i japë fund karrierës së tij. Sipas asaj që raporton “ La Gazzetta dello Sport” Gianluigi Buffon po reflekton për të ardhmen e tij dhe po shqyrton mundësinë e daljes në pension.
Ish-portieri i Juventusit dhe i Kombëtares italiane, me të cilin u shpall edhe kampion bote në vitin 2006, dëshiron të jetë më afër familjes së tij dhe për këtë arsye mund t’i jap fund para kohe karrierës, pavarësisht se kontrata e tij me Parmën skadon në vitin 2024.
Në moshën 45-vjeçare, Buffon arriti që sezonin e fundit të zhvillonte 19 paraqitje, ku 5 herë arriti të mbante portën e paprekur. Objektivi i tij ishte të ngjiste në Serie A Parmën, por kjo ëndërr nuk u realizua.
Së fundmi i kanë ardhur edhe oferta nga Arabia Saudite, por që sipas mediave italiane, Buffon nuk tundohet. E vetmja gjë që ka në mendje legjenda italiane e portës është nëse do ta mbyllë aventurën e tij me futbollin e luajtur, apo të provojë edhe një sezon tjetër për të ngjitur në Serie A, Parmën. /oversport.tv
Foto: Parma Calcio 1913, Facebook