Nuk i kishte ndodhur kurrë në histori, humbja ndaj Monzës vulos statistikat horror të zikaltërve

Humbja ndaj Monzës në “San Siro” ka konfirmuar edhe njëherë krizën që Interi po kalon në Serie A. Skuadra e Inzaghit u mposht pas një goli të shënuar nga Caldirola në minutën e 78-të, duke i shkaktuar kështu humbjen e tretë radhazi në shtëpi dhe të katërtën në pesë ndeshjet e fundit në kampionat.

Por ajo që shqetëson edhe më shumë për zikaltrit është loja. Goli është kthyer në një ekuacion shumë të vështirë për skuadrën e Inzaghit në “San Siro” që nuk po shënon dot prej tre ndeshjesh radhazi. Një statistikë kjo totalisht negative pasi nuk i kishte ndodhur kurrë më parë në histori.

Fillimisht Interi u mposht nga Juventusi me rezultatin minimal 1-0 pas golit të Kostic. Më pas një gol i Bonaventurës i dhuroi një fitore Fiorentinës në “San Siro” duke i shkaktuar humbjen e dytë radhazi në shtëpi Interit. Ndërkohë që ndaj Monzës u plotësua edhe statistika “horror” e zikaltërve që humbasin tre ndeshje radhazi në shtëpi për herë të parë në historinë e tyre. /oversport.tv

Foto: Inter, Twitter